Në fjalën e tij, Rama tha se, “faktikisht, pas një historie 45- vjeçare shkeljesh të të drejtave të njeriut, ndryshimet demokratike shënuan një kthesë rrënjësore në historinë e shtetit shqiptar, por pa dyshim dhe në drejtësinë shqiptare”.
“Që në fillim, Gjykata Kushtetuese u konsiderua si autoriteti më i lartë që garanton respektimin e ligjit themelor të këtij vendi. E vërteta është se që nga dita e krijimit të saj në vitin 1992, e deri sot, Gjykata Kushtetuese është përballur në një sfidë të jashtëzakonshme, por nëse ka një institucion shqiptar ku mund të rrihet ballëhapur është Gjykata Kushtetuese”, theksoi Rama.
Rama pohoi se “në një kohë të shkurtër, Gjykata Kushtetuese ka qenë e detyruar të merrte vendime shumë të rëndësishme dhe e vërteta është se kjo gjykatë është përpjekur të shfaqet e paanshme në gjykimet e saj”.
“Nuk ndodh shpesh në jetën e një institucioni kudoqoftë dhe sidomos në Shqipëri, siç ndodhi në këtë Gjykatë pas vendimit historik, siç është çështja e kufirit detar. Ishte një nga ato vendime që definizon imazhin, karakterin e një institucioni për dekada. Gjykata Kushtetuese u ngrit mbi gjithçka dhe mbi të gjithë me një vendimmarrje që na bën të gjithëve krenarë për gjykatën e mbrojtjes së sovranitetit kushtetues dhe shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama.
Po ashtu, Rama shtoi se “pas 25 vitesh nga krijimi i saj, Gjykata Kushtetuese, sot ka një sfidë dhe uroj që kjo përpjekje të konsolidohet duke hyrë në epokën e re të drejtësisë”.
Në fund, Rama ju uroi suksese gjytarëve në përpjekjen për zbatimin e reformës në drejtësi. “Sidoqoftë jam i bindur që drejtësia do ia dalë mbanë”, tha Rama.