Prej 18 ditësh fati i Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit është ende mister. Dy 46-vjeçarët janë zhdukur dhe deri më tani kërkimet e policisë dhe familjarëve të tyre nuk kanë sjellë një rezultat konkret.
Gazetari Spartak Koka solli detaje të reja për këtë ngjarje teksa këtë të hënë ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai u shpreh se pista e parë që po hetohet nga policia është shitja e një toke në zonën e Çukës në Sarandë.
Sipas të dhënave të gazetarit Koka për këtë pronë që nuk ka asnjë dokumentacion është dhënë një kapar prej 21 mijë Eurosh nga ana e blerësve të cilët janë nga zona e Vrinës dhe e Xarrës. Po ashtu dyshohet se Thodhori do të takonte dikë tjetër disa ditë më vonë për të marrë 8 milionë Lekë të tjera për këtë pronë.
Sipas gazetarit dyshohet se ndaj Thodhorit të jetë ngritur një pritë nga persona të besuar dhe të njohur të tij.


