Ditën e sotme mbushen 8 vjet nga 21 janari, dita kur katër protestues të pafajshëm u vranë duke qëndruar me duar në xhep, në përfundimin e një proteste përballë Kryeministrisë.
Përveçse një ditë e zezë në historinë e vendit, 21 janari është mbi të gjitha një ditë turpi për drejtësinë shqiptare. Asnjë i dënuar me formë të prerë dhe të vetmit të hetuar dy efektivë të Gardës së Republikës.
Çdo vit, ndërsa në 21 janar përkujtohen të vrarët e asaj dite, Lulzim Basha, ish-Ministri i Brendshëm dhe sot lideri i opozitës, qëndron vazhdimisht në heshtje, duke refuzuar që të komentojë, madje duke mos pranuar as që sa për sy e faqe të shkruajë 3 rreshta eulogjie në rrjetet sociale.
Megjithatë, heshtja synon të fshehë diçka shumë më të rëndë. Faktin që plumbat e asaj dite nuk ishin të rastësishim, por një skenar i dakordësuar në atë kohë midis ish-Ministrit Basha dhe ish-zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçajt.
Të dy së bashku, në atë ditë të zezë urdhëruan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të bënin raprezalje.
Ardhja e urdhërit nuk mundi të dokumentohej kurrë, por Plani i Bashës dhe Kuliçajt ka mbetur në arkivat e SHKB (atëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit).
Shkresa e famshme nr 136/2, e datës 21 janar 2011, provon me firmën e të dyve se në vigjilje të protestës ishin marrë të gjitha masat për një përgjigje ekstreme nga ana e forcave të policisë.
Në atë shkresë famëkeqe përshkruhen me detaje të gjitha veprimet që duhet të merren, nga hedhja e gazit lotsjellës dhe deri tek hapja e zjarrit për shtypjen e protestës.
Gjithashtu, përshkruhet se si duhet të përdoren armët speciale dhe se si duhet të fshihen ato pas sulmit.
Këto prova nuk u morën asnjëherë parasysh nga ana e drejtësisë shqiptare, edhe pse ato janë një “gjurmë e qartë” gishtërinjsh në armët e krimit.
Është e vërtetë që vrasjet përfundimisht u kryen nga efektivë të Gardës së Republikës, pasi efektivë të FNSH refuzuan të hapnin zjarr ndaj civilëve, por shkresa e mësipërme tregon qartë që nga vetë ministri Basha ishte koordinuar përdorimi i dhunës ekstreme ndaj protestuevse.
Provat që inkriminojnë liderin e opozitës nuk përfundojnë këtu. Megjithatë, arsyeja qesharake përse ato nuk u morën parasysh në gjykatë është sepse ato ishin paraqitur me disa minuta vonesë, përtej afatit të paracaktuar nga Kodi i Procedurave Penale.
Arsyeja përse Prokuroria nuk mundi të paraqiste në kohë provat lidhet me refuzimin 3-mujor të Parlamentit, për të të lejuar nisjen e hetimeve ndaj Bashës.
Përfundimisht, në një rast unikal në historinë e Shqipërisë, Basha i ka shpëtuar dy prej hetimeve më të rëndësishme në 25 vitet e fundit përmes teknikaliteteve.
Ai i shpëtoi dosjen për megakorrupsionin e Rrugës së Kombit duke mos u paraqitur në gjykatë me raport mjeku, gjoja si i sëmurë dhe i shpëtoi hetimit për 21 janarin sepse provat u paraqitën me disa minuta vonesë.
E për të “vrarë” përfundimisht çdo zë që kërkon rihapjen e hetimeve për 21 janarin, tani Basha ka zgjedhur një teknikë të tretë, një mur të padepërdueshëm heshtje.
Ndërkohë, tetë vite më pas, nuk ka asnjë jetët e prera në mes të Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.


