Korrupsioni në universitete është një fenomen që duket se nuk do të ndalojë kurrë . E megjithatë, kur ato denoncohen dhe bëhen publike duket se ka një ndërgjegjësim.
Rasti më i fundit vjen nga Korça ku një 31 vjeçar, infermier i kërkonte studentëve të mjekësisë para për ti ndihmuar me kalimin në provime.
AlpeNews.al mëson se Alku Gjalli, është personi mëposhtë i cili me shumë “krenari” poston fotot veshur me uniformën e infermierit:
Njoftimi:
Specialistët kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit Alku Gjalli, 31 vjeç, banues në fshatin Vinçan (me detyrë infermier pranë Spitalit të Korçës).
Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim numër 339 datë 16.10.2018, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera në lidhje me këtë rast, rezulton se shtetasi i mësipërm kundrejt shumave nga 15.000 deri në 20.000 lekë, iu premtonte studentëve, se do i kalonte në provimet e Fakultetit të Infermierisë-Korçë, në lëndë të ndryshme.
Po vijon puna për dokumentimin e plotë të saj, njoftoi Policia, ndërsa materialet hetimore për ndjekje të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
/AlpeNews.al



