Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ndërhyrja e forcave ajrore të NATO-s para 20 viteve ndaloi gjenocidin që po ushtronin forcat serbe të Millosheviçit kundër popullit të Kosovës.
Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministri Haradinaj tha se ‘populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falenderues për kontributin e NATO-s për shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë’.
‘Në njëzetvjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, sot i kam dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg. Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s’, ka thënë kryeministri Haradinaj.