Vëllai i ish-deputetit të PD-së Andon Frrokaj, Frederik Frrokaj është bërë pjesë e një skandali duke përfituar nga situata alarmante e COVID-19 që ka prekur gjithë botën dhe vendin tonë. Frrokaj hiqej si mjek dhe bashkë me nipin e tij Henri Frrokaj mashtronin qytetarët duke shitur ilaçin kurues për COVID, në këmbim të 20 mijë lekëve.
Xhaxha e nip bashkëpunonin me njëri-tjetrin, ku 57-vjeçari i prodhonte, kurse nipi gjendte klientët dhe i shiste. Pas dy muajsh hetim, ditën e sotme në operacionin e koduar “Kuruesi i rremë” u arrestuan 57-vjeçari dhe nipi i tij 30-vjeçar, banues në Mamurras. Policia arriti t’i gjurmonte autorët nga informacionet e mbledhura nga banorët e zonës.
Ish- deputeti Andon Frrokaj dhe pamje nga arrestimi i vëllait të tij
Policia sekuestroi në banesën e Frederik Frrokaj, baza materiale, medikamente dhe preparate që shërbenin për të përgatitur ilaçin që ai prodhonte.
Frederik Frrokaj, nëpërmjet rrjetit social Facebook bënte thirrje për ilaçet e kurimit të virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar shërim. Nipi i 57-vjeçarit u arrestua në flagrancë, ndërsa po i shiste ilaçin një klienti në një lokal, kurse Frederik Frrokajt në banesë ku u gjetën edhe pesë pajisje mjekësore pa faturë tatimore, të cilat dyshohet se mund t’i ketë futur kontrabandë.
Sipas policisë, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Mashtrimi”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.