Zbardhen detaje nga të shtënat me armë zjarri në Mirditë, ku humbi jetën 45-vjeçari, Valter Lleshi.
Lleshi është gjetur pa shenja jete brenda një makine tip ‘Toyota’. Lleshi ka marrë plumba në kokë dhe trup, ndërsa mësohet se ishte nisur për në punë. Në vendngjarje janë gjetur 18 gëzhoja.
Viktima dyshohet se është autori i vrasjes së Anton Kelit, në vitin 2020 i cili punonte si taksist në Rrëshen.
Sakaq mësohet se viktima punonte si shofer në makineritë që u vendos tritol disa muaj më parë.
“Rreth orës 07:10, në fshatin Shkorret, Mirditë, në aksin rrugor Reps–Spaç, është gjetur në automjet, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi V. Ll., rreth 45 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.


