Ditën e mërkurë, nisi punimet në Tiranë një forum ndërkombëtar i biznesit, event që ka sjellë në kryeqytet më shumë se 150 biznese të huaja të gatshme të investojnë në vendin tonë.
“Tirana Business Matching” është konceptuar si një platformë partneriteti midis kompanive të huaja dhe partnerëve të mundshëm shqiptar, me qëllim nxitjen e investimeve të mëtejshme.
Përveç kompanive të ardhura nga vendet e rajonit dhe Italia, të pranishëm në këtë forum ishin edhe kompani kineze, amerikane, turke, spanjolle, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, etj.
Një platformë e tillë bashkëpunimi pritet që të ndikojë në rritjen e mëtejshme të investimeve direkte në Shqipëri, që në vitin 2016 shënuan një rekord historik me vlerën e 983 milionë eurove, një rritje prej 100 milionë eurosh krahasuar me vitin 2015 ose pothuajse 50% më shumë krahasuar me pesë vite më parë.
Për 2017-n, parashikohet që për herë të parë në histori, investimet e huaja direkte të tejkalojnë nivelin e një miliardë eurove.