Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjete sociale lidhur me 21 janarin, pasi sot bëhen 14 vite nga ajo ngjarje tragjike në bulevardin para kryeministrisë. Gjatë protestës së PS, atëherë në opozitë, 4 protestues të pafajshëm u vranë nga pushteti i Berishës, asokohe kryeministër. Rama përmend shprehjen e urtë se ‘drejtësia vonon por nuk harron’.
“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë…’, shkruan Rama.
Shpresa për drejtësi për 4 viktimat e 21 janarit 2011 ishte venitur, por ky 14-vjetor vjen ndryshe: me dosjen në duart e SPAK. Familjarët e viktimave të 21 janarit tashmë sytë i kanë te SPAK që ka nisur hetimet për një prej ngjarjeve më të rënda në vendin tonë, ku 4 protestues të pafajshëm u vranë me plumbat e shtetit gjatë qeverisjes së Sali Berishës.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti qartë krim shtetëror i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Tashmë SPAK, do zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Bashës, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit e të tjerëve.