Kryeministri Edi Rama ka folur sot gjatë një takimi me votuesit për herë të parë në Tiranë, në kuadër të fushatës elektorale. Ai ka sjellë në vëmendje etapat historike të Shqipërisë, që nga koha e Skënderbeut e deri në rrëzimin e diktaturës, duke theksuar se shqiptarët nuk janë shkëputur asnjëherë nga qëllimi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, nuk donte të shkonte në BE – sepse nuk kishte BE atëherë – por ai na tregoi se atje ishte destinacioni. Kur erdhën rilindasit, ende nuk kishte BE, por ata luftuan për një alfabet të përbashkët dhe na lanë vargun madhështor: ‘Drita lind andej nga perëndon’. Edhe Ismail Qemali kishte si objektiv shkëputjen nga Lindja dhe bashkimin me Perëndimin. Pas rënies së komunizmit, erdhi thirrja nga vetë populli: ‘E duam Shqipërinë si Europa’. Pastaj, e mori bufi dhe e mori lumi Shqipërinë”, u shpreh Rama.