Nga selia blu, kryedemokrati Sali Berisha vijon të denoncojë atë që sipas tij është farsa elektorale e 11 majit.
Këtë herë u përqëndrua tek bonusi prej 100 eurosh që qeveria shpërndau për pensionistët duke akuzuar Kryeministrin Rama se e ka bërë me qëllim për t’u blerë votën.
“Edi Rama përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën në një kohë kur unë kam sjellë këtu një statistikë të Eurostatit. Dhe kjo statistikë e Eurostatit tregon se pensionistët shqiptarë në të gjithë Europën janë ata që paguhen më pak se të gjithë të tjerët. Janë ata, të cilët në vlerë nominale mujore paguhen 50 përqind më pak se sa vendi i parafundit, se sa Turqia. Kurse në fuqi blerëse të monedhës, ata janë pothuajse tre herë nën Turqinë. Janë rreth dy herë nën Bosnjen dhe janë mbi dy herë gjer në 6.5 herë nën pensionistët e tjerë. Pra në qoftë se me fuqi blerëse, nuk po them se me kështu janë 20-30 herë, por po marr fuqinë blerëse se ky është tregues më real, me fuqi blerëse, pensionisti shqiptar është rreth 7 herë nën një pensionist evropian”, tha ndër të tjera Sali Berisha.


