Erion Veliaj do të zyrtarizojë nesër kandidaturën për mandatin e dytë në bashkinë e Tiranës.
I ftuar në studion e emisionit të mëngjesit “Koha për tu Zgjuar” me Bashkim Hoxhën në Neës 24, Veliaj ka thënë se shpalljen e kandidaturës do ta bëjë nesër në orën 11:00 sheshin “Nënë Tereza”.
“Nesër do të mbahet Kongresi Elektoral i PS, është ndarë në dy pjesë, do nisë rreth orës 10:00 me diskutime për platformën e bashkëqeverisjes, ndërsa fokusi i dytë do jetë tek bashkitë, do tregojnë bashkiakët historinë e suksesit. Më pas do dalim në shesh bashkë me kryeministrin. Në orën 11:00 nesër kemi ftuar gjithë qytetarët e Tiranës. Ka shumë demokratë që do jenë nesër, ia kanë parë hairin Tiranës”, tha Veliaj.
Më tej kryebashkiaku e cilësoi këtë moment si një festë familjare, pasi tha se do të jetë në shesh bashkë me Ajolën dhe djalin, ndërsa nuk hezitoi të bëjë edhe diferencën sipas tij me protestat e opozitës.
“Unë e kuptoj e drejta jote të protestosh. Unë nesër i kam ftuar qytetarët pa dallim që të jem me mua në këtë gëzim të jetës sime. E kam konceptuar si festë familjare unë do jem aty me Ajolën, Kajan. Unë besoj se mes një fushate që është e fokusuar tek familjet dhe një grup i tjetër që sjell në Tiranë stafe të bashkive të tjera nesër njerëzit do të shohin kontrastin. Shpresoj shumë që nesër edhe këto bashki që sjelin njerëzit për ekskursion dhune në Tiranë do të marrin mesazh. Nesër do të kemi një superpërgjigje për njerëzit në orën 11:00 tek sheshi “Nënë Tereza”, tha Veliaj.