Ish-kryeministri Sali Berisha do të thirret nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të dëshmuar për gjyqin ndaj Emiljano Shullazit për kërcënimin e Mynyr Konit. Gjykata pranoi kërkesën e Tahirit dhe Shullazit për dëshminë e Berishës, pasi sipas tyre ka qenë ky i fundit që e ka bërë denoncimin për kërcënimin e Konit në 2016, para zgjedhjeve.
Tashmë nuk do të jenë më 7, por 8 dëshmitarë VIP në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sot nga 7 dëshmitarët që janë thirrur kanë qenë Tahiri, Çako, Shezai Rrokaj, Dhori Kule dhe Majlinda Keta, ndërsa nuk kanë qenë Mynyr Koni dhe Klodeta Dibra.
Dëshmitë
Saimir Tahiri: Duhet të thërrisni Berishën, ai e denoncoi
Saimir Tahiri, ka dëshmuar në gjyqin ndaj Shullazit për kërcënimin e Konit, duke kërkuar që në gjykatë thërritet për të dëshmuar Sali Berisha, pasi denoncimin e ka mësuar nga ai. Sipas Tahirit, ish-kryeministri duhet të pyetet se si e ka marrë vesh kërcënimin e Konit, pasi ka pasur informacion përpara tij.
“I qëndroj pikë për pikë sqarimeve të mia që kam dhënë në Prokurori. Nuk e kuptoj pse Prokuroria nuk ka thirrur Sali Berishën për ta pyetur si ka rënë në kontakt të këtij informacioni, pra të kërcënimit. Prokuroria nuk punon, është pozicionuar politikisht. Berisha duhet të ishte këtu”.
Emiljano Shullazi: Berisha të dëshmojë për denoncimin
Gjatë seancës gjyqësore, Shullazi i ka kërkuar gjykatës që të pranojë kërkesën e tij, që Sali Berisha të dëshmojë në gjyq.
“Sali Berisha ka bërë denoncimin, ai duhet të dëshmojë në gjykatë”, mësohet se është shprehur Shullazi.
Gjykata e pranoi kërkesën e Shullazit, tashmë pritet që të shikohet nëse do të pranohet kërkesa apo jo nga Berisha.