Thellohet bilanci i viktimave nga zjarret në rajonin e Atikës në Greqi, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 88. Nga të dhënat që përcjellin mediat greke, mësohet se rreth orës 02:00 të natës ka ndërruar jetë në spital një 42-vjeçare, e cila nuk mundi t’i shpëtonte plagëve të marra nga zjarri në Mati. Ndërkohë, raportohet se në beteje mes jetës dhe vdekjes janë edhe 9 persona, të cilët thuhet se janë në gjendje të rëndë, pas tragjedisë kombëtare që goditi Greqinë.
‘Protothema.gr’ shkruan se në total një numër prej 46 personash (të rritur) qëndrojnë të shtruar në spitale, ndërsa dy fëmijë janë në Hagia Sophia, ndërsa këta të fundit janë jashtë rrezikut për jetën. Kujtojmë se mes viktimave u konfirmua zyrtarisht edhe një shtetas shqiptar, përkatësisht Viktor Ceko nga Vlora.


