Viktimë e zjarrit apokaliptik që rrafshoi Greqinë në dy ditët e fundit, është edhe shqiptari Viktor Cenko rreth 60 vjeç, me origjinë nga Narta. Ambasada shqiptare në Athinë konfirmoi për TV KLAN se Cenko, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Athinës. Ai ka djegie të shkallës së tretë në mbi 85 të trupit.
Të konfirmuara zyrtarisht janë gjithashtu edhe trajtimet në spital të një 64-vjeçareje nga Berati dhe dy fëmijëve të vegjël, që kanë marrë plagë të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Raportohet se edhe dy gra të tjera me origjinë shqiptare rezultojnë të zhdukura, por ende jo zyrtarisht.
Sakaq bilanci tragjik i viktimave rritet nga ora në orë. Aktualisht numërohen të paktën 81 të vdekur dhe rreth 200 të lënduar. Katastrofa e zjarrit masiv që përpiu Greqinë për fat të keq mund të ketë një fund edhe tragjik. Forcat greke të emergjencës janë në garë me kohën për gjetjen e të zhdukurve. Zjarrfikësit kanë marrë disa dhjetëra thirrje nga qytetarët për familjarë të zhdukur.
Ankthi i një babai në kërkim të dy vajzave binjake 9-vjeçare ka mbushur mediat greke. Ai thotë se i ka parë në televizor, pamjet të publikuara nga mediat greke, por ende nuk mundet t’i gjejë ato.
Llava e flakëve shkrumboi tërësisht banesa makina e gjithçka në fshatin e vogël turisitk, 29 km nga Athina.


