Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën që po kalon vendi nga zjarret, teksa ka bërë edhe një bilanc të dëmeve.
Rama tha se 72 orët e fundit ishin tejet të vështira dhe i shprehu ngushëllim fmailjes në Gramsh që humbi të afërmin.Ai bëri me dije se nga zjarret 207 banesa janë të dëmtuara dhe 40 familje e kanë humbur shtëpinë plotësisht.
Ai tha se shteti do të kompensojë dëmet e shkaktuara nga zjarret për banesat dhe për gjënë e gjallë që banorët e zonave të prekura kanë humbur.
“Jam këtu për të ndarë me judisa përshtypje dhe patjetër përpara përshtypjeve disa të dhëna lidhur me 48-72 orët e fundit të cilat ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën një zhvillim më të madh se sa çdo herë tjetër më parë se sa këtë moment.
Në radhë të parë dua që t’ju shpreh ngushëllim kujt humbi të afërmin e vet dhe t’ju shpreh të gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri.
Tani që flasim janë rreth 207 shtëpi të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë rreth 40 familje të cilat faktikisht e kanë humbur shtëpinë plotësisht.
Dua t’i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur banesat plotësisht, qoftë ato të cilat kanë pësuar dëmtime në shtëpitë e tyre nga zjarri, se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe padiskutim se siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do të mbetet pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë. Tani numërohen mbi 3 kijë e 600 krerë të humbur.”, tha Rama.


