Kryeministri Edi Rama ishte sot në familjen Gjana ne Durrës, e cila humbi një familjar nga tërmeti i rëndë që goditi vendin më 26 nëntor, nënën e shtëpisë.
Për fat të mirë, Fatmir Gjana u nxorr pas një ndërhyrjeje të grupit të shpëtimit nga Vlora, ku dallimin e kishte bërë zjarrfikësi i quajtur hero Luan Kapaj, por nën rrënoja pa jetë mbeti Xhuljeta Gjana.
Kryeministri Rama tha se puna që ka bërë zjarrfikësi nga Vlora ka habitur edhe ekipet e huaja të kërkim shpëtimit.
“Grekët dhe italianët me thanë që ajo që bëri Luani (kreu i grupit të shpëtimit të Vlorës) ishte e paimagjinueshme”, tha Rama.
“Në momentin që ra tërmeti u ngritëm nga krevati. Vetëm pesë sekonda dhe u shemb. Mua më kapi tek dera, kurse gruaja tentoi të dilte jashtë. Nuk e dija që kishin rënë dy katet e pallatit. Kur dola pyeta për gruan, dhe më thanë që ka dalë një grua. Kur shkova tek spitali pyeta dhe më thanë që nuk ka dalë ende. Aty i thash që ajo ka vdekur, sepse nuk mund të shpëtonte nga mënyra se si ra pallati. Ishte mes dy korridorëve dhe i ranë kolonat”, vijoi Fatmiri teksa tregoi se Luani e kishte mbajtur me shpresë sepse për një moment mendoi se aty mbaroi gjithcka, për shkak të ërrësirës dhe hapësirës së pakët që kishte në rrënoja.
“Nuk lëvizja dot sepse kisha të gjithë pallatin sipër. Mund të lëvizja vetëm duart”, tha Fatmiri.