Një vatër zjarri është aktivizuar në zonën e Ravenës, në gadishullin e Karaburunit, ku sipas raportimeve paraprake nga shërbimi zjarrfikës po digjet një sipërfaqe me tokë kullotë.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve në terrenin kodrinor, në vendngjarje janë nisur menjëherë forcat zjarrfikëse të Pashalimanit, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe mjetet dhe efektivët e shërbimit zjarrfikës të Vlorës.
Burime bëjnë me dije se zjarri ka përfshirë një hapësirë të konsiderueshme kodrinore të Karaburunit, ndërsa kushtet e terrenit dhe era vështirësojnë ndërhyrjen për izolimin e vatrës.
Autoritetet po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe për të shmangur përhapjen e tyre në zona të tjera të gadishullit. Situata po monitorohet në vijimësi nga strukturat e emergjencave civile dhe shërbimet zjarrfikëse.


