Ka rënë në prangat e policisë autori i dyshuar i ngjarjes që u regjistrua sot në Fier, ku iu vu zjarri Drejtorisë Arsimore.
Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se në pranga ka rënë 33-vjeçari Indrit Alushaj, banues në Fier.
I riu spërkati me benzinë katin e dytë të ndërtesës dhe më pas i vuri zjarrin për motive të dobëta.
Dyshohet se ai ka kërkuar disa herë që të punësohej si mësues, por pasi kjo nuk u realizua, ai është hakmarrë duke i vënë flakën Drejtorisë Arsimore.
Njoftimi:
Fier
Zbardhet ngjarja e ndodhur sot në Drejtorinë Arsimore Fier.
Kapet në kohë rekord autori i cili i vuri zjarrin në katin e dytë të DAR Fier.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, falë punës së mirëorganizuar dhe veprimeve të shpejta profesionale, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen në kohë rekord të autorit të kësaj ngjarje, i cili për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin katit të dytë të DAR Fier duke e spërkatur fillimisht me lëndë djegëse (benzinë).
Eshtë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier autori, shtetasi I. A., 33 vjeç, banues në Fier, dhe po kryhen veprimet procedurale.