Analisti Lorenc Vangjeli paralajmëron një lidhje të çuditshme mes personazheve të përfshirë në historinë e lobimit në SHBA të partisë demokratike, dyshimit se si mund të jenë përdorur paratë ruse dhe historisë së vilës luksoze me qira ku banon së fundmi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Sipas tij, dy të afërm të Bashës kanë udhëtuar drejt Skocisë për një takim në lidhje me kompaninë që loboi për PD-në “Biniata Trade”. Vangjeli tha se një prej këtyre personave u shfaq më pas në Tiranë, dhe mesa duket paska bërë “karrierë të çuditshme” në Partinë Demokratike.
Analisti insistoi se zbardhja e pronësisë mbi vilën ku banon Lulzim Basha do të hedhë dritë mbi këtë çështje.
“Ka një zhvillim dramatik dhe ende të mistershëm në historinë e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, me lobistin Nick Muzin.
Dy personazhe nga Tirana, të afërt me Lulzim Bashën, konfirmohet se kanë udhëtuar në pranverën e vitit 2017 në Edinburg, në Skoci. Një udhëtim që ishte i lidhur dhe kishte “destinacion” kompaninë Biniatta Trade, një nga hallkat e zinxhirit financiar që shërbeu për të bërë pagesat e lobimit.
Për një koinçidencë të çuditshme, njëri nga këta personazhe, i dyshuar se ka ndihmuar në realizimin e kësaj skeme, shfaqet sërish, kësaj here në Tiranë.
Zbardhja e pronësisë mbi vilën në të cilën po jeton me qera tashmë kryetari Basha dhe financimin mbi blerjen e saj, mund të shpjegojë edhe motivin se pse disa njerëz bëjnë karrierë të çuditshme në PD, specifikon një burim i mirinformuar për Java në RTSH.
Java në RTSH i njeh identitetet e dy personazheve, por vendos të mos i bëjë publike.
Për momentin, kryetari i Partisë Demokratike është marë i pandehur në këtë çështje bashkë me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së Ristani dhe një zyrtar të partisë së tij.
Afatet hetimore janë zgjatur edhe me tre muaj në pritje te marjes së dëshmisë me letër porosi nga përfituesi direkt i kontratës Nick Muzin,” tha analisti Vangjeli.