Viti që po lëmë pas është hasur me disa nga rastet më të bujshme të shqiptarëve të zhdukur që janë ende pa adresë. Njerëz për të cilët familjarët nuk dinë asgjë, për të cilët dyshohet se kanë vdekur, se janë marrë peng, e se të tjerë janë vrarë.
AlpeNews.al, risjell në rubrikën “2018” katër zhdukjet e këtij viti që prapa tyre duket se kanë një mister tepër të madh.
Mes personave të zhdukur janë edhe dy emigrantët e ardhur së bashku nga Belgjika, Albano Xhaferri dhe Ervis Troqe. Për zhdukjen e tyre dyshohet si i përfshirë Edison Harizaj. Ky i fundit u ekzekutua me breshëri automatiku në autostradë, në afërsi të Durrësit, vetëm pak javë më parë, bashkë me një mikun e tij.
*Rastet
18 Qershor
Albano Xhaferri është deklaruar i zhdukur qysh prej 18 qershorit, ditë nga kur familjarët nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.
Ai prej pak kohësh ishte kthyer nga Belgjika drejt Vlorës, ku kishte thënë se kishte mall për dy fëmijët dhe gruan e tij.
Familjarët kanë thënë në polici, se Albano doli nga banesa pas një telefonate nga një i njohur i tij dhe se pikërisht ky i njohur e ka marrë të riun në makinë, për të mos e kthyer më mbrapsht.
19 Korrik
Elis Troqe, 24 vjeç rrëmbehet në mes të qytetit. I sapokthyer nga Italia, ku kishte kryer dënimin për trafikim të lëndëve narkotike, Elvisi kishte vendosur të ndërtonte një jetë të re.
Ditën e ditëlindjes së nënës, Marselës, më 17 korrik 2018 do ti prezantonte dhe vajzën e ëndrrave të tij.
Pak para darkës së madhe, rreth orës 18:00, ka dalë nga shtëpia, për tu takuar me një mikun e tij. Vendtakimi ishte Bar “Havana”.
Ka porositur një kafe dhe ujë dhe pas 5 minutash është ngritur nga tavolina duke I thënë mikut të tij se do të takonte 2 minuta një shok e do të kthehej shpejt.
Një “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, e priste në rrugën kryesore. Ervisi pasi përshëndetët me drejtuesin e mjetit hipën në makinë ku dallohen dy persona.
Makina merr rrugën për në “Lungo Mare”, tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i shtatë pallateve” drejtohet për nga hotel “Rexhina”. Më pas makina zhduket në afërsi të kompleksit Oslo në Vlorë. Ai ishte mik me Albano Xhaferrin.
23 Gusht
Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj, dajë e nip janë zhdukur natën e 23 gushtit.
Bashkëshortja e Gëzim Hysaj ka deklaruar se “rreth orës 8 doli në qytet dhe më tha do shkoj të pi kafe me një shok”.
Ngjarja bëhet më misterioze, kur një orë pas Gëzimit del nga shtëpia dhe nipi i tij Agron Mollaj.
E vetmja që po hetohet nga ana e grupit hetimor është hakmarrja ndaj nipit të tij, Agron Mollaj, pasi ky ka bërë një vrasje në vitin 1997.
30 Prill
Fation Fejzillari, 30-vjeçari nga Peqini u zhduk në rrethana të dyshimta në hyrje të qytetit të Laçit.
Familjarët kanë thënë se Fationi shiste perde dhe çarçafë në disa qytete.
Sipas familjarëve ai doli së bashku me shokun e tij, Aleksandër Fadili, ndërsa më pas ishin ndarë për të punuar veç e veç. Fadili ishte personi i parë që ngriti alarmin e zhdukjes së 30-vjeçarit, dhe më pas u bë dhe i akuzuari kryesor pasi dëshmite e tij ishin kontradiktore.
Përgatiti: AlpeNews.al






