Në përgjigje të zhdukjes së pashpjegueshme të gazetarit saudit Jamal Khashoggi, Franca ka tërhequr Ministrin e Financave nga një konferencë investimi e planifikuar për t’u mbajtur në Arabi.
Turqia thotë se kolumnisti i Washington Post, i cili ishte kritik ndaj princit të kurorës Mohammed bin Salman, u vra nga agjentët sauditë në misionin diplomatik të Rijadit në Stamboll më 2 tetor,dhe se trupi i tij u nda në copa për t’u zhdukur më pas lehtësisht.
Megjithatë, Arabia Saudite e mohon akuzën.
Parisi dhe Rijadi gëzojnë marrëdhënie të ngushta diplomatike dhe tregtare që përfshijnë energjinë, financat dhe armët, por Franca, e cila e konsideron Arabinë Saudite si një kështjellë kundër ndikimit iranian në Lindjen e Mesme, momentalisht po përballet me një akt balancues delikat në reagimin e saj ndaj incidentit.
Presidenti Emmanuel Macron kërkoi të minimizonte rëndësinë e marrëdhënieve me Rijadin, duke thënë se mbretëria nuk ishte një klient i madh i Francës, por Ministri i Mbrojtjes Florence Parly u tha ligjvënësve të mërkurën se shitjet e armëve në Arabi ishin vendimtare për punët franceze.
Të enjten, Ministri i Financave Bruno Le Maire shtoi emrin e tij në një listë në rritje të ministrave të qeverisë, drejtuesve të shquar të biznesit dhe drejtuesve të institucioneve ndërkombëtare të cilët kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në një konferencë investimesh saudite, pikërisht për shkak të shqetësimit rreth zhdukjes së Khashoggi.


