Lëvizja Socialiste për Integrimi është revoltuar me Lulzim Bashën, pasi ky i fundit për të disatën seancë me radhë, ka zaptuar foltoren e Kuvendit dhe nuk pranon të largohet.
Për këtë arsye, shumë deputetë kanë tërhequr fjalimet e tyre, të parashikuara për seancën e kësaj të enjte.
Luan Rama i LSI-së, që kishte për të folur, është ngritur nga vendi i revoltuar, duke i kërkuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, që të lirojë foltoren.
“Nuk mund të vazhdohet më kështu, ky nuk është një parlament normal.
Unë s’mund të dal e të flas, kur foltorja mbahet e bllokuar.
Merrni masa që kjo të mos ndodhë”, iu drejtua Luan Rama kryeparlamentarit.
Por Ruçi iu drejtuar atij, duke thënë se nuk është faji i tij, që kryetari i opozitës kërkon të mbajë peng Kuvendin.
Me sa duket LSI është revoltuar nga protagonizmi i përjavshëm i Lulzim Bashës, që duke bllokuar foltoren, ka nxjerrë jashtë loje Monika Kryemadhin dhe deputetët e tjerë të kësaj partie, që nuk kanë mundësi të flasin dhe të bëjnë opozitë.