Përfaqësuesi i mazhorancës në Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri pas mbledhjes prej 4 orësh tha se palët ranë dakord për vendosjen e kamerave, por ka akoma debat artificial për sa i përket përfshirjes së teknologjisë në zgjedhje. Ai ka theksuar se asnjë vend në botë nuk ka model policie për zgjedhje, pasi ai është një organ meritokratik.
“Trajtuam një sërë paketash si krimet zgjedhore, rolin e policisë, masat ekstra që kërkon opozita, pranuam kamerat, kemi debat akoma disi artificial në lidhje me përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Dëshira është ta shtrimë por opinioni i ODHIR thotë se duhet të shtrihet qartë dhe në mënyrë graduale. Jemi dakord, por nuk mund të vihen në dyshim zgjedhjet se nuk punoi teknologjia. ODHIR tha se duhet të bëjmë kujdes me implementimin e teknologjisë jo më shumë se 10%. Nëse nuk funksionon nuk mund të implementohet. Policia është organ meritokratik nuk ka vend në botë që vë një model policie për zgjedhje, pasi ka misione ndërkombëtare. Ka standarde që nuk duhet t’i shkelim. Hajdari e të tjerë kanë sjellë çështje të ndryshme. Kur u ulëm në tavolinë çështja e sistemit kur kërkon ndërhyrje lihet në fazën e dytë, por nëse ka konsensus do të shprehim opinionin tonë, pasi prekja e kushtetutës mund të hapi edhe probleme të tjera. Ka një formulë alternative kompromisi, por jo çdo listë dëshirash do të kthehet në detyrë“, tha Gjiknuri.