Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj në emisionin “Real Story” me Sokol Ballën tha se i duhet edhe një tjetër mandat si kryetar Bashkie për të vijuar projektet për kryeqytetin në bashkëpunim me qeverinë.
“Na duhet që të përfundojmë disa projekte që nuk përfundojnë me autopilot. Nuk shtyp dot një buton që të mbarojnë 7 lotet e Unazës. Ne kemi bashkëpunim shumë të afërt me qeverinë, Ministrinë e Transporteve. Ju e patë se çfarë ndodhi tek Astiri, futet politika në mes dhe nëse kryetari i Bashkisë nuk merr një vendim radikal për të thënë: Unë ju durova tre vjet, por në momentin që njerëzit marrin kompensimet, ju nuk mund ta ktheni Astirin në një grup seksion të PD. Astiri voton masivisht progresin. Njerëzit mezi presin të mbarojë autostrada, të bëhet çerdhja që sapo hapëm, mezi presin kopshtet dhe shkollat. Ju s’mund ta mbani këtë zonë peng. Unë besoj se duke i çliruar njerëzit nga këto zgjedhje, njerëzit janë më të lirë. Shikojnë se kush po bën progres, kush po mban premtimet, kush po punon për ata. Në këto vite kemi bërë mjaft, por nuk i kemi mbaruar projektet. Kemi mbaruar Parkun Olimpik, por ne duhet ta bëjmë “Asllan Rusin” e “Selman Stermasin” nga e para. E njëjta gjë me kompleksin Dajti”, tha Veliaj.


