Federata Shqiptare e Futbollit është duke u pregatitur për të mbajtur zgjedhjet për Presidentin e FSHF-së, të cilat do të kryhen në datën 7 Shkurt 2018.
Kandidatët zyrtarë të cilët do të jenë përballë njëri-tjetrit janë kreu aktual Armando Duka dhe deputeti i PS, Bashkim Fino.
Armando Duka do të kërkojë mandatin e 5-të radhazi në krye të FSHF, duke shpalosur edhe njëherë idetë për zhvillimin e futbollit shqiptar.
Bashkim Fino do të kandidojë për herë të parë për President të FSHF, ku një ndër gjërat të cilën e ka theksuar deputeti socialist është përmirësimi i infrastrukturës së futbollit si edhe ndërtimi i disa stadiumeve të reja moderne të cilat do të ishin hallka e parë e zhvillimit të futbollit shqiptar.
Por si do të mbahen zgjedhjet, kush do të votojë për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe cilat janë roli dhe kompetencat e tij?
Si zgjidhet kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit
Presidenti i zgjedhur del nga votimi në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore e cila ka në përbërje të saj 66 anëtarë me të drejtë vote. Pjesa më e madhe e asamblesë janë klube futbolli të kategorive nga Superiorja deri në ato më të ulëtat. Pjesë e Asamblesë me të drejtë votë janë edhe përfaqësues nga shoqatat sportive si ajo e arbitrave, shoqata e mjekëve sportive, shoqata e trajnerëve si dhe shoqatat rajonale.
Kandidati propozohet nga një anëtar i federatës sipas Nenit 31, pika 3 të statutit të FSHF-së. Për tu zgjedhur president duhen 2/3 e votave të vlefshme. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota (50% +1) zgjidhet president.
Në Asamblenë zgjedhore përcaktohet edhe përbërja e Komitetit Ekzekutiv.
Roli dhe Kompetencat e Presidentit te FSHF-së
Presidenti është përfaqësuesi ligjor i FSHF-së dhe figura përfaqësuese e institucionit të futbollit. Ai është shprehje e unitetit të institucionit dhe sigurisht është përcaktues në politikat e tij për zhvillimin e futbollit shqiptar. Presidenti zgjidhet drejtëpërdrejt nga Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore, e cila mbahet nje here ne kater vjet.
Për t’u zgjedhur President, kandidati ka nevojë për 2/3 e votave të vlefshme. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota (50% +1) zgjidhet President.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, është përcaktues si në politikat e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme të institucionit të futbollit. Ai është hartuesi kryesor i strategjisë që do të ndjekë Federata e Futbollit dhe ndjek në dinamikë, detyrat dhe objektivat e një programi të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme.
Detyrat e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit janë si më poshtë: Të mbledhë Asamblenë e Përgjithshme dhe Komitetin Ekzekutiv. Ai gjithashtu drejton Asamblenë e Përgjithshme dhe mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv. Presidenti i FSHF mbikqyr zbatimin e vendimeve të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme dhe Komiteti Ekzekutiv dhe siguron funksionimin e rregullt dhe efektiv të organeve dhe departamenteve te FSHF-së në mënyrë që të arrihen objektivat e përcaktuara.
Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm ose njëri nga zevendës presidentët dhe Sekretari i Përgjithshëm mund të firmosin së bashku në emër të FSHF-së përveç rasteve ku është vendosur ndryshe në rregulloret e brendshme organizative të Sekretariatit të Përgjithshëm të FSHF-së.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, mban lidhjet midis FSHF-së dhe anëtarëve të saj, konfederatave nderkombetare FIFA dhe UEFA, me organizmat politike dhe organizata të tjera. Ai mbikqyr funksionimin e Sekretariatit të Përgjithshëm. Presidenti emëron trajnerët dhe stafet teknike të ekipeve kombëtare, pasi është konsultuar me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Në rastet kur Presidenti mungon, detyrat e tij plotësohen nga zevendës-Presidenti i parë. Në rast se edhe ky i fundit mungon, atëherë përgjegjësinë e merr zevendës-Presidenti i dytë. Në rastet kur Presidenti jep dorëheqjen gjatë mandatit të tij, Komiteti Ekzekutiv zgjedh një nga anëtarët e tij të kryejë funksionin e Presidentit të përkohshëm.
Komiteti Ekzekutiv mund të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të jashtëzakonshme për të zgjedhur një President të ri për kohën e mbetur nga mandati. Nëse Asambleja e Përgjithshme e radhës mbahet brenda gjashtë muajve atëhere nuk mblidhet Asambleja e Përgjithshme e jashtëzakonshme dhe zevendës-Presidenti i Parë merr funksionet e Presidentit.
Përgatiti: AlpeNews.al


