Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) thanë se siguruan shumicën e votave për kryebashkiakë në mbarë vendin në zgjedhjet lokale të së dielës.
Por, AKP pësoi humbje të mëdha pasi kandidatët e opozitës kryesore fituan kryeqytetin e vendit, Ankaranë, qytetin tjetër të rëndësishëm, Izmirin dhe janë në avantazh në Stamboll, sipas rezultateve të publikuara të hënën, shkruan DW.
Në Stamboll, bordi i zgjedhjeve tha se kandidati për kryebashkiak i opozitës ishte përpara. AKP e Erdoganit më vonë pretendoi fitore në qytetin më të madh dhe politikisht më të rëndësishëm të Turqisë, pasi pretendoi se kishte parregullsi në votime.
Të dhënat jozyrtare të agjencisë shtetërore turke të lajmeve, “Anadolu” tregojnë se kandidati i Partisë Republikane Popullore (CHP) Ekrem Imamoglu fitoi garën e për kryebashkiak në Stamboll, me 48.8 përqind të votave, ndërsa kandidati i Partisë AK Binali Yildirim, ish-kryeministër, mori 48.5 për qind.
Media shtetërore njoftoi se partia e Erdoganit fitoi mbi 44 për qind të votave anembanë vendit, ndërsa partia kryesore e opozitës, Partia Republikane Popullore (CHP), fitoi mbi 30 për qind të votave.
Më shumë se 57 milionë votues kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarëve të bashkive për 30 qytete të mëdha, 51 kryeqytete provinciale dhe 922 rrethe në të gjithë Turqinë. Pjesëmarrja ishte 85 për qind e lartë.
Zgjedhjet u konsideruan si një provë vendimtare për popullaritetin e Erdoganit, teksa vendi është përfshirë në krizë ekonomike.