Të dielën e ardhshme Mali i Zi mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nik Gjeloshaj, kryetari i komunës së Tuzit në Malin e Zi dhe kryetar i “Forumit Shqiptar” zhvilloi një intervistë për emisionin “Opinion” ku foli në lidhje me mundësitë që kanë shqiptarët atje në këto zgjedhje. Ai u shpreh se është e sigurt që shqiptarët do t’i nxjerrin dy përfaqësues në parlamentin e Malit të Zi.
“Partitë shqiptare i kanë mundësitë ligjore deri në tre mandate i prodhojnë. Proceset e mëparshme zgjedhore nuk është arritur ky objektiv. Jemi ndalu në dy përfaqësues autentikë përmes partive shqiptare. Mendoj se në këto zgjedhje është e sigurt që do t’i kemi dy përfaqësues autentikë. A do të kemi më shumë mendoj se varet më shumë prej subjekteve të tjera nacionale që marrin pjesë se sa do ta arrijnë ato të prezantojnë idetë e tyre. Mendoj se për Forumin Shqiptar e sigurt është ajo çka është te opinioni se do t’i kemi dy përfaqësues në parlamentin e Malit të Zi”, tha Gjeloshaj.
“Forumi Shqiptar” është e 15 në listën e votimit. Gjeloshaj tha se slogani është “Besa për zhvillim europian”.
“Ne presim që të jemi faktor në konstituimin e qeverisë. Nuk do të pranojmë kurrë që të jemi dekori i dikujt. Kur mendoj faktor ne do të jemi dhe garantues që ajo qeveri të jetë pro amerikane, pro europiane, pro NATO, fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet, posaçërisht me shtetin amë Shqipërinë. Që të ketë qëndrim të njëjtë ndaj Kosovës, që të mos vihet në pikëpyetje pranimi i Kosovës nga Mali i Zi. Të jemi mburojë e asaj që është politika e shqiptarëve në rajon”, tha Gjeloshaj.