Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka votuar sot në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik. Hoxhaj u ka bërë thirrje qytetarëve për të votuar duke thënë se sot është dita kur flasin qytetarët e jo politikanët.
“Qytetarët janë para dy opsioneve para opsionit për rimëkëmbje ekonomike dhe stabilitetit politik apo para opsionit të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar”, tha Hoxhaj.
Ai pret që qytetarët ta marrin vendimin. Sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.
Vendvotimet janë hapur në ora 7:00. Zgjedhjet e parakohshme vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.
Qeveria Hoti është e para në Kosovë që u rrwzua për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja më 21 dhjetor 2021 kishte vendosur për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.
Sipas vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Arifi, e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti, është shpallur e pavlefshme pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale mashtrim me subvencione. Qeveria Hoti u votua më 3 qershor 2020 me 61 vota pas arritjes së koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.