Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi, thuhet se BE-ja do të angazhohet me institucionet e reja të Kosovës me synim për të arritur përparim në rrugën evropiane dhe se pret që institucionet e reja të Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë.
“Kjo do të kërkojë që Kosova të avancojë në reforma, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në përparimin rajonal. Rruga evropiane e Kosovës shkon nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë dhe BE-ja pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe synim të vazhdimit të takimeve në dialogun me Serbinë të ndihmuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë para vetes për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Borrell dhe Varhelyi.
Deklarata e plotë
Më 14 shkurt, njerëzit në Kosovë hodhën votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në pritje të certifikimit të rezultateve përfundimtare, ne shpresojmë në formimin e Asamblesë dhe qeverisë së re, si dhe zgjedhjen e një Presidenti të ri. Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision të Ekspertëve Zgjedhor (EEM) i cili do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procedurat post-zgjedhore gjithashtu dhe për të nxjerrë rekomandime.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj Evropiane. Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reformat, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në bashkëpunimin rajonal. Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe BE pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të shfrytëzojnë mundësinë para tyre për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.


