Lidhja Demokratike e Kosovës pas shpalljes së rezultateve preliminare ka filluar festën në Prishtinë. Sipas “Demokracia ne Veprim” LDK është partia e parë në vend me 210 mijë vota, 70 mijë më shumë se partia e dytë, që është PDK.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kandidati për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi e shumë anëtarë të tjerë të kësaj partie së bashku me qindra simpatizantë po festojnë fitoren pranë shtatores së Ibrahim Rugovës në sheshin e kryeqytetit.
Kjo parti fitoren e saj e ka festuar me fishekzjarrë të shumtë në kryeqytet.
Kryetari i LDK’së Isa Mustafa thotë se partia që ai udhëheq me plot meritë është partia e parë në vend.
Nëpërmjet Facebook’ut, Mustafa i ka uruar fitoren Arban Abrashit, i cili në balotazh do të garojë kundër Shpend Ahmetit.
Shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:
“Fituam sepse nuk u dorëzuam.
LDK është e para, me meritë të plotë. Faleminderit qytetarë për besimin tuaj. Faleminderit kryetarë të komunave që punuat mirë dhe me nder; dhe juve kandidatëve të rinj për kryetarë të komunave e këshilltarëve të Kuvendeve Komunale për kulturën që treguat në këto zgjedhje. Urime Arban fitorja në Prishtinë!”