Deputetja e PD Jorida Tabaku është shprehur nga Vora paraditen e kësaj të diele, se banorët kanë shkuar në qendrat e votimit dhe po zgjedhin masivisht kandidatin e tyre Ymer Marku. Sipas saj, PS dhe LSI janë bashkuar kundër PD.
Tabaku sqaroi se PD nuk ka komisionerë sepse PS dhe LSI kanë bashkuar votat dhe nuk zbatojnë vendimin e KQZ. Anëtarët e PD janë në Komisione, tha ajo, vetëm si vëzhgues.
“Tre anëtarët e PS bashkuan votën me LSI dhe kanë refuzuar të zbatojnë vendimin e KQZ për emërimin e komisionerëve të PD. Në QV janë emëruar 22 sekretarët e PD dhe nuk ka vendim për 22 kryetarët që i përkasin po PD në 22 qendra të tjera. Janë në komisione si vëzhguese por jo si kryetarë.
Subjektet politike të kalojnë përtej porosive partiake dhe politike, të zbatojnë vendimin e Komisionerit dhe KAS. Përfaqësuesit e PS me ata të LSI në komisione kanë refuzuar të zbatojnë këtë vendim. Votuesit të vijnë masivisht për PD, subjektet e tjera janë bërë të gjitha bashkë kundër PD”, tha deputetja dhe nënkryetarja e PD Jorida Tabaku.


