Sot, në orën 24:00, skadon afati për të dorëzuar dokumentet në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në 6 bashki pa kryetar.
Deri më tani kanë shprehur interes për të qenë pjesë e garës 8 parti politike. E para që dorëzoi dokumentet për t’u regjistruar ishte Partia Socialiste, e cila nuk priti datën 28 janar kur ishte vebndosur nga KQZ për të nisur faza e regjistrimit por i dorëzoi rreth një javë më parë. Po të njëjtën gjë bëri edhe Partia Demokratike.
Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim depozitoi në KQZ kërkesën për t’u regjistruar më 28 janar. Po ashtu, kanë shpallur interesin për të marrë pjesë në garë edhe PRD, PDK, PKD, LRE dhe FRD. Ndërkohë, vihet re se nuk kanë shprehur interes për të marrë pjesë në zgjedhje PBDNJ e Vangjel Dules, Dashamir Shehi apo edhe Agron Duka. Ndërkaq, mbetet për të pritur se çfarë formule do të zgjedhë Berisha për të marrë pjesë në zgjedhje, tashmë që kandidatët e Komisionit të Grupit të rithemelimit të PD-së u zgjodhën. Nëse subjektet politike nuk do të kenë mangësi në dokumentacion, ato do të regjistrohen automatikisht dhe brenda 24 orëve duhet të depozitohen kërkesat për regjistrimin e koalicioneve.
AFATET
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Ndërsa koalicionet regjistrohen 24 orë pas përfundimit të regjistrimit të subjekteve politike. Ndërsa pas kësaj faze, subjektet e regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet në 6 bashkitë e sipërpërmendura do duhet që nga data 6 deri më 9 shkurt të paraqesin dokumentet për të regjistruar kandidatët përkatës. “Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnjë, si dhe në KZAZ për bashkitë Vorë, Dibër dhe Rrogozhinë, nga data 6 deri në datën 9 shkurt 2022. KQZ/KZAZ bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KQZ-ja/KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Ndërkohë, fushata zgjedhore do të nisë më 19 shkurt deri 24 orë para zgjedhjeve të 6 marsit. Po ashtu, edhe për këto zgjedhje, KQZ ka miratuar aktin për veprimtaritë e ndaluara të bashkive.
PARTITË QË DUAN TË REGJISTROHEN
Partia Socialiste
Partia Demokratike
Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Demokristiane
Partia Kristian Demokrate
Partia e Reformave Demokratike
Partia Fryma e Re Demokratike
Partia Lëvizja e Re


