Kreu i PD-së, Sali Berisha vijoi edhe sot me retorikën se nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit. Në një konferencë për media Berisha tha se bandat punuan në qytetet e mëdha të vendit për të futur në Kuvend 28 deputetë.
“Pra kemi të bëjmë me një vdekje të paralajmëruar të procesit zgjedhor, dhe zhvillimi e një farse zgjedhore. Bota e krimit në këto zgjedhje ishte me zyrtare se kurrë. Bandat punuan në qytetet e mëdha të vendit, arritën të punojnë për 28 deputetë. Para jush në fushatë unë kam denoncuar bashkërendimin e bandave të Durrësit dhe Elbasanit, darkat e shpeshta tek një lokal, të Shkëmbi i Kavajës, ku darkonin së bashku, Ergys Agaci, Ervis Doçi, Suel Çela, Vangjush Dako. Pas këtij denoncimi ata u transferuan nga Kodra e Kuajve tek shtëpia e Dakos në bllok, aty janë organizuar të gjitha takimet”, tha Sali Berisha.
Berisha kërkoi qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
‘Ne duam zgjedhje të parakoshme dhe qeveri teknike. Kjo është kërkesa jonë që ne do të luftojmë me të gjithë mbëshetësit tanë. Dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen, rruga e vetme është qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, me Ramën ka vetëm farsë dhe s’ka zgjedhje. Dënoj me forcë presionin e narkozyrtarëve shqiptarë ndaj vëzhguesve ndërkombëtar’, tha ai.


