Kryesocialisti Edi Rama po zhvillon këtë të premte një takim me qytetarë të Kavajës për renditjen e investimeve të bëra nga qeveria në këtë qytet në dekadën e fundit.
“Kur Pandi më kërkoi për të folur për fushatën etj., dhe më tha: “Më vjen mirë që jam në Kavajë dhe në Rrogazhine, por të pyes,” – më tha – “pse?” I thashë ik njëherë, se do ta jap përgjigjen një ditë.
Pse? Ky bulevard këtu nuk ekzistonte kur ne morëm detyrën. Ky qytet ekzistonte, patjetër që ekzistonte, por nuk ishte ky qytet që është sot. Nuk besoj se dikush, sado inat të na ketë, apo të më ketë mua për më tepër, mos të na japë këtë fakt, që Kavajën ne e nxorëm nga plehrat e harresës dhe të një përçmimi që i vinte jo nga ne, që nuk kishte votuar kurrë, por i vinte nga ata të cilëve Kavaja u kishte dhënë mbështetje pa kushte për gati çerek shekulli.
Po shihja këtu që pllakat janë zëvendësuar me beton. Nuk jemi ne këta, nuk i bëjmë ne këto. Sot ne jemi këtu për të folur për 11 majin dhe një palë zgjedhje kombëtare, por ja që përçmimi i dikurshëm dhe ajo ndjesia e tmerrshme e atyre që i’a morën Kavajës votën në mënyrën më pa kushte, është në fakt karakteristikë e asaj kënete dhe atij bufi në krye të kënetës, që njerëzit i sheh si specie nën hyqmin e vet dhe që askund nuk mendon si t’i ngrejë. Përkundrazi, mendon si t’i mbajë nën vete.


