Ish-deputeti i Partisë Socialiste Alfred Peza, i ftuar në studion e televizionit Klan News, ka dhënë 3 arsye përse sipas tij Partia Socialiste do të fitojë mandatin e tretë radhazi qeverisës.
“Janë një sërë faktorësh relevantë të terrenit por edhe në rang kombëtar që përcaktojnë këtë radhë fituesin ose humbësin e këtyre zgjedhjeve. Gjykoj që 3 nga faktorët përcaktues të javës së fundit që i kanë dhënë shumë shanse dhe mundësi PS të realizojë objektin për marrjen e mandatit të 3-të radhazi, kanë qenë:
E para, vrasja tragjike që ndodhi në Elbasan kur badigardi i drejtuesit politik të fushatës elektorale të PD ekzekutoi në mes të ditës një qytetar në Elbasan.
E dyta ka qenë deklarata e drejtuesit politik në qarkun e Dibrës që tha mjafton të na bëni një telefonatë, ne t’ja bëjmë kujtdo që dyshoni siç ju bë atij në Elbasan.
Dhe e treta ka qenë debati live që bëri ambasadorja amerikane Yuri Kim me Presidentin e Republikës në një televizion të Tiranës ku u pa që Presidenti ishte palë dhe një nga katalizatorët nxitës të një gjuhe të papërshtatshme për fushatë elektorale”. /tvklan.al


