Kryeministri Edi Rama përjashtoi edhe njëherë tjetër mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme lokale.
Në një intervistë të dhënë për Euronews, Rama u shpreh se zgjedhjet duhet të bëhen në bashkitë ku mungojnë kryetarët e tyre, për shkak dorëheqjesh, ose për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
“Zgjedhjet e parakohshme duhet të bëhen aty ku mungojnë kryetarët e bashkive. kurse zgjedhje të parkohshme të përgjithshme nuk është në dorën tonë fare”, tha Rama.
Aktualisht, bashkitë pa kryetarë janë disa, ku ndër më të mëdhatë është ajo e Shkodrës, ku mandati i Voltana Ademit ka përfunduar, ajo e Durrësit, ku fituesja socialiste e tyre në 2019-n, Valbona Sako u dorëhoq, Bashkia e Vorës dhe bashkia e Lushnjes, ku Fatos Tushe u arrestua me urdhër të SPAK.
Në lidhje me vlefshmërinë e zgjedhjeve të 2019-s, Komisioni i Venecias i është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga Gjykata Kushtetuese. Venecia i cilësoi zgjedhjet të vlefshme, por ndër të tjera tha se Kushtetuesja nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e këtij procesi, ndërsa Presidenti Ilir Meta nuk mund t’i shtynte.