Kryedemokrati Lulzim Basha do të zhvillojë një takim këtë të dielë me demokratët në qytetin e Fierit. Takimi do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në teatrin Bylis.
Siç shihet nga pamjet, salla ku do të zhvillohet mbledhja është bërë gati, teksa po i jepet “dora e fundit” e organizimit.
Një ditë më parë, kryedemokrati Basha zhvilloi një takim me të rinjtë e FRPD-së në kuadër të zgjedhjeve për kryetarin e ri.
Ndërsa gjatë pasdites e deri në orët e mbrëmjes, Basha mblodhi Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike ku bëri dhe disa ndryshime brenda kampit blu.
Në këtë mbledhje janë zëvendësuar përkrahësit e Berishës, veçanërisht pas protestës së dhunshme të 8 janarit ndaj selisë së Partisë Demokratike.
Sipas burimeve për Panorama.al, nënkryetar i Kuvendit është propozuar Agron Gjekmarkaj, i cili merr postin e mbajtur nga Enkelejd Alibeaj. Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë është propozuar Grida Duma, e cila zëvendëson Albana Vokshin pasi kjo e fundit ka dalë në krah të ish-kryeministrit Berisha. Ndërsa Flutura Açka do të marrë drejtimin e Komisionit të Arsimit, të cilin e ka mbajtur Agron Gjekmarkaj. Ndërka, Dhurata Çupi është propozuar për të qenë nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila zëvendëson një nga mbështetësit e Berishës, siç është Oerd Bylykbashi. Ndërsa Dashnor Sula është propozuar në Sekretariatin për Statusin e Deputetit të cilën e mbante deri më sot Grida Duma.


