Në shoqërinë kosovare janë të shpeshta rastet kur figurat publike përfshihen në lidhje intime jashtëmartesore.
Një historie të tillë duket se nuk i rezistoi as ish-zv.kryeministri Haki Abazi, i cili sipas provave të siguruara nga Gazeta Sinjali rezulton se në fund të vitit 2015, derisa ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, nisi një lidhje intime jashtëmartesore me F.D.
F.D kishte rrëfyer para hetuesve policorë se lidhja intime mes saj dhe Haki Abazit nisi në fund të vitit 2015 dhe vazhdoi për së paku një vit.
Marrëdhënia intime e saj me Abazin dhe lidhja e dashurisë në të njëjtën kohë me tani bashkëshortin e saj, A.B, nxiti këtë të fundit që të provonte me ngulm të përballej me Haki Abazin dhe t’i kërkonte llogari për tradhtinë e tij dhe bashkëshortes së tij.
A.B fillimisht kishte provuar të nisë bisedën me Abazin përmes rrjeteve sociale, por meqë ish-zv.kryeministri asnjëherë nuk iu përgjigj mesazheve të tij, A.B vendosi t’i shkojë Abazit në shtëpi, mirëpo as aty nuk arriti ta kontaktonte.
Në shtëpinë e Abazit, A.B kishte takuar vetëm nënën e ish-zv.kryeministrit, të cilës nga mllefi dhe inati, ia rrëfeu të gjithë historinë dhe arsyen se pse ai gjendej në shtëpinë e tyre.
A.B pretendon se kishte vërtetuar se ish-zv.kryeministri Abazi kishte mbajtur lidhje intime me bashkëshorten e tij F.D, fakt ky që i ishte konfirmuar atij edhe nga vetë bashkëshortja e tij.
Mirëpo, pas dështimeve të shumta për të kontaktuar dhe kërkuar llogari nga Haki Abazi, A.B u kujtua të inskenojë një histori “kanosje”, vetëm e vetëm që ta merrte vëmendjen e Abazit dhe të kishte mundësi, sipas tij, që të përballej me të, qoftë edhe në polici.
A.B vendosi ta denonconte Abazin, për “kanosje” me pretendimet se ish-zv.kryeministri urdhëroi dy persona të panjohur që t’ia zinin pritën dhe ta kërcënonin.
Në provat e siguruara nga Gazeta Sinjali, A.B kishte deklaruar se më 4 shkurt 2020, një ditë pasi që Abazi u emërua zv.kryeministër, derisa ai kishte qenë duke kaluar me veturë në rrugën e Shkupit, ishte bllokuar nga një veturë tjetër, nga e cila kishin dalë dy persona të panjohur, që e kishin kërcënuar me armë zjarri, duke i thënë “Mos shko kurrë ma te banesa e Haki Abazit për të ju treguar familjarëve të tij lidhur me rastin e 2014-2015”.
Vetëm një muaj pasi që e mori këtë post, ish-zv.kryeministri i Kosovës në Qeverinë Kurti, Haki Abazi, lidhur me denoncimin e A.B-së, u intervistua në cilësinë e dëshmitarit nga Policia e Kosovës në zyrën e tij, në kryeministri.