Bëhet fjalë për agjentin e identifikuar si Mustafa al-Madani. Siç duket edhe në këto pamje të kamerave të sigurisë, agjenti hyn në konsullatë me një këmishë me kuadrate blu para se aty të mbërrinte Kashogxhi dhe del prej andej me veshjet e gazetarit. Pas vrasjes, ai është xhiruar teksa shëtit nëpër qytet me të njëjtat veshje derisa më pas ndërrohet në një tualet. Ai shoqërohet edhe nga një bashkëpunëtor, i cili siç duket hedh rrobat e gazetarit në kosh.
Sipas hetuesve turq, dërgimi i një sozie nga sauditët për këtë rast, kishte për qëllim që të mos kuptohej që ishte një vrasje, por një zhdukje e përhershme.
Gazetari 60-vjeçar, një nga opozitarët më të ashpër të familjes mbretërore të Riadit u vra më 2 Tetor në ambientet e konsullatës saudite në Stamboll. Vrasjen u detyruan ta pranojnë edhe autoritetet e Arabisë Saudite.


