Henri Çili është arrestuar në orët e para të mëngjesit nga policia, bashkë me 11 persona të tjerë, mes tyre biznesmeni Sait Fishta dhe drejtori Juridik i UET Ilir Korbi.
Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disa mujor. Çili është shoqëruar në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme ndërkohë që urdhër arresti i është komumikuar në orë e para të mëngjesit të sotëm.
Të arrestuarit akuzohen për korrupsion pasiv dhe aktiv në fushën e drejtësisë, ndërsa burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar një person nga Lazarati të arrestuar për drogë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
Të arrestuarit janë dërguar tek Policia e Tiranës, ku priten veprime të mëtejshme.