Burime të prokurorisë e kanë konfirmuar këtë fakt duke sqaruar se po hetohet nxjerrja e herëpashershme jashtë funksionit e disa radarëve nga nga viti 2015, kohë kur kultivimi dhe trafiku i kanabisit njohu pikun e tij.
A u përdorën në të vërtetë radarët në funksion të grupeve të krimit të organizuar të përfshirë në trafikun e drogës?
Gazetarët kanë deklaruar se anëtarët e bandës së “Habiljave” e pohojnë këtë në biseda të lirshme që kanë me njëri – tjetrin, pa qenë në dijeni se po përgjohen nga antimafia e Katanias, në Itali.
“Ai mori sepse është në sallë. Si i thuhet… Salla është në portin tjetër të qytetit.. Ai më shikon çdo gjë, edhe peshqit arrin të shikojë nga aty. Sepse ai është një mik i një mikut tonë…”
Është Moisi Habilaj që flet për një zyrtar që punon në qendrën e radarëve. Ai i njofton për zonat e lira ku radarët nuk kapin. U tregon se nga duhet ta lëvizin peshkarexhën “Fatima”, që vetëm në një rrugë transportoi 1.5 ton hashash.
Në fillim të tetorit në media u publikua një letër e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, drejtuar ministrit të Brendshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Çako ankohej se mosfunksionimi i radarëve po e bënte të pamundur kapjen e gomoneve me drogë.
Por a u lanë radarët jashtë funksionit qëllimisht, që të mos kapeshin trafikantët si Habilajt?
Ish –drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, një ndër shërbimet inteligjente avangardë në çështjet e sigurisë kombëtare, Ylli Zyla, thotë se krerët e Ministrisë së Brendshme dhe të Forcave të Armatosura janë të përfshirë në aferën e trafikut.
LSI po përgatitet për një komision parlamentar për këtë çështje. Luan Rama ka denoncuar disa herë se radarët nuk funksionojnë. Sipas tij, në dëm të sigurisë kombëtare është edhe fakti se një kompani private mbikqyr me kamera qendrat e radarëve.
Olta Xhaçka paralajmëroi një inspektim të gjerë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.
“Së bashku me Ministrin e Brendshëm, kolegun Fatmir Xhafa kemi ngritur një grup të përbashkët inspektimi për të inspektuar në detaje situatën aktuale me vëzhgimin e hapësirës detare. Do të nxjerrim konkluzionet e nevojshme dhe përgjegjësitë e rastit”.


