Banda e hajdutëve të kasafortave në Tiranë ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për dy prej anëtarëve të bandës, Arjan Rapi dhe Et’hem Murataj”, ndërsa ka lënë në “detyrim paraqitje” dy të tjerë, Dorian Bashon dhe Smajl Shkemzën.
Grupi i hajdutëve u godit pak ditë më parë nga Policia e Tiranës, ku ata kishin vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë, brenda së cilës kishte dokumente personale dhe rreth 10 mijë euro, në banesën e shtetasit E. Agasi. Siç raporton gazetarja Lala, pronari i banesës ka qenë me pushime dhe kur është kthyer ka konstatuar që i mungonte kasaforta. Sipas tij, autorët nuk kishin thyer derën, por kishin hyrë nga mbrapa, ndërsa nga hetimet që ai ka bërë, ka identifikuar edhe targën e makinës.
Në sallën e gjyqit, autorët kanë pranuar fajësinë për vjedhjen e kasafortës. Ka qenë hajduti Arjan Rapi, që ka pranuar dhe treguar detaje rreth vjedhjes. Ai ka thënë se Et’hem Murataj ka qenë shoferi, ndërsa ka treguar edhe vendin, ku është hedhur kasaforta. Menjëherë pasi ka treguar vendin, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar kasafortën në cilësinë e provës materiale. Në dëshminë e tij, Rapi ka deklaruar se ka bërë edhe vjedhje të tjera, të cilat po hetohen.


