Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e 27-vjeçarit Renato Çadra mbrëmjen e së premtes në zonën e Treshit në Kamzë.
Tre persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Mësohet se janë arrestuar Bekim Nikolli, Alfred Lleshi dhe Ibrahim Kupa.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Zona e Treshit”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 27-vjeçar.
Identifikohen 4 shtetas. Vihen në pranga 3 prej tyre, shpallet në kërkim një tjetër.
Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit me të cilën u plagos 27-vjeçari.
Sekuestrohen 1 automjet, që dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes si dhe sende të tjera të kundraligjshme të vlefshme për hetimin.
Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spital ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi R. Ç., 27 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Tiranë, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes,, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorëve.


