Sot, kur dosjet e sigurimit nuk po hapen, ose janë lënë për t’u hapur në dorë të atyre që i kopsitën dikur duke rroposur jetë, fate dhe fise të tëra, nuk mund të rri pa përmendur disa fakte personale, jo për të treguar trimëri, por për të thënë një të vërtetë drithëruese. Punoja si mësues në Kalis të Kukësit. Miku im, poeti Visar Zhiti ishte në fshatin Vilë. Shkonim dhe vinim tek njeri-tjetri. Visari kishte disa fletore të poezisë angleze, përkthime të Rudolf Markut dhe të vetat. Gjithësejt bëheshin 5 (pesë) fletore nga ato që atëherë kushtonin tridhjetë e dy lekë, disi të trasha. Unë i mora, dhe e fejuara ime, Flutura, i kopjoi me një shkrim të bukur, që sot ndiej dhimbje që nuk janë pjesë e fondit të artë të bibliotekës sime…Ngjarjet morën keq e për dreq. Ato poezi u bënë pretekst hetusishë, dhune dhe dënimesh mizore. Hetuesia m’i sekuestroi dhe nuk m’i ktheu, kështu që u zhdukën. Për sa thashë, po jap një fakt, përshkruar nga vetë Visari, në veprën “Burgologjia”, në “Rrugët e Ferrit”, faqe 75-76, botim i Shtëpisë Botuese “Onufri”, Tiranë, më 2000, si dhe nje foto te bere nga Visari dhe kushtimi i tij ne faqen pas,:
“…Më çuan diku ku s’kisha qënë më parë. Nën mure të panjohura. Hetuesi bëri me shenjë dhe u hap dera si me magji. Përballë u shfaq miku im, edhe ai shkruante, mësues si unë, Ylli Xhaferri i tronditur. Dukej jo si i sjellë, por si i rënë befas këtu nga ndonjë zgavër lart drejt e në guvën me tigra. Nuk po i mësoheshin sytë. I fërkoi me duar më duket. Ndoshta unë, i përhitesha. I tejdukshëm. A, ai mua. Doja të vrapoja drejt tij. Ta përqafoja.
– Mos lëvizni dhe mos shikoni nga njeri-tjetri, por nga mua!- urdhëroi hetuesi.- Jeni në ballafaqim. E njeh, i pandehur?
– Po, a mund ta pyes diçka?
– Hetuesi pranoi me kokë dhe bëri shenjë me dorë.
– Si je?
– Nuk të shoh dot kështu, ah!
– Jo, jo, – e ndali bisedën tonë hetuesi. – Ti, – u drejtua andej,- e njeh të pandehurin?
– Çfarë ka bërë, përse e mbani! – u shkreh me zë të ngjirur Ylli.
– Ej, u dëgjua klithma e egër e hetuesit. – Të kemi thirrur për tjetër gjë. Mund të të mbajmë edhe ty. Ligji s’pyet pse e ke babanë kmunist. I pandehur, Çfarë i dërgoje ti, këtij tjetrit, në fshatin përtej?
– …libra, shkruanim letra. Me një të njohur.
– Poezinë angleze ku e gjete?
– Do të botohet së shpejti, është antologjia që po e përgatit shteti.- e shpëtoi gjendjen Ylli. Sepse fjala “shtet” gjithmonë sugjestionon.
– I pandehur ku e ke?
– Unë s’kam asgjë, i keni ju të gjitha!
– Dua të dal s’rri dot. – lëngoi Ylli. Por me forcë…”
Këto kujtime të Visarit i lexoj shpesh. Mallëngjehem. Patëm fat të përbashkët edhe në një fatëkëeqësi humbëse prishamendase. Por, gjallojmë, qëndrojmë. Nuk i futa këto rradhë për të treguar trimëri, por për të skalitur në kohë padrejtësinë e etërve, që sot e bëjnë bijtë. Por meqë nuk kanë më fuqi për të na burgosur, na lënë pa punë. Turpi dhe faqja e zezë e rilindjes.