Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda argumenton në vendimin për uljen e 1/ 3 të dënimeve të grupit të “Xibrakës” se ndërhyrja e Policisë në laborator ishte e nxituar dhe se aksioni mund të jetë dekonspiruar.
Gjithashtu, Apeli i Krimeve të Rënda del në përfundimin se Prokuroria me provat e saj nuk arrin dot të provojë akuzën e “trafikimit ndërkombëtar të kokainës” për pjesëtarët e grupit. Bëhet fjalë për vendimin e datës 15 nëntor të vitit të shkuar, kur grupit të “Xibrakës” iu ul 1/ 3 e dënimit, pasi Apeli i Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e të dënuarve për gjykim të shkurtuar, kërkesë kjo që më parë ishte refuzuar nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Në atë seancë, edhe prokurori i çështjes ishte dakord me mbrojtjen sa i përket gjykimit të shkurtuar. Mirëpo, ajo që vihet re në vendimin e Apelit, që disponohet nga “Panorama”, është se sipas vlerësimit të Gjykatës, ndërhyrja e Policisë në laborator ishte e nxituar dhe operacioni mund të jetë dekonspiruar.
“Kjo gjykatë, nisur nga provat e marra gjatë këtij hetimi, nisur nga fakti se organet e ndjekjes penale dhe të Policisë kishin marrë nga organet kompetente të shtetit gjerman, informacion mbi aktivitetin e njërit nga të pandehurve për trafikim të lëndës narkotike me përmbajtje kokaine, në kushtet komode kur të gjithë të pandehurit e këtij procesi ishin në përgjim dhe në vëzhgim, shpreh mendimin se ndërhyrja e Policisë më datë 14.01.2015, ora 15:10, në Xibrakë, ka qenë e nxituar dhe jo efektive, pasi në laborator nuk u gjetën materialet me të cilat bëhej ky përpunim dhe as produkti i gatshëm, por vetëm gjurmë të tyre në rroba dhe enë, siç është përshkruar në procesverbalet përkatëse të këqyrjeve dhe ekspertimeve. Nisur nga fakti se njëkohësisht në Xibrakë enët me lëngje po derdheshin (për zhdukje provash), ndërsa i pandehuri Saimir Batku sapo mori telefonatën, devijoi lëvizjen me automjet, krijohet dyshimi se aksioni policor të jetë zbuluar, ose ndë- rhyrja policore të ketë qenë e parakohshme, pasi të paktën i pandehuri Saimir Batku (të cilit gjatë arrestimit në flagrancë iu gjetën 19.4 kg kokainë) mund të ndiqej për destinacionin final të kësaj ngarkese, nëse ishte për treg të brendshëm apo eksportim të saj, për rrethin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm, për ngarkesa të tjera të pritshme etj.. Këto veprime në vijim e për një kohë më të gjatë, normalisht që do të sillnin rezultate të plota në zbardhjen e të gjithë anëtarëve të këtij organizimi kriminal si edhe të faktit penal, nëse kemi të bëjmë me një trafikim në linja të konsoliduara të kësaj lënde të fortë narkotike, apo jemi në fazat e para të përgatitjes së saj”, shkruan vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Sa i përket akuzës së grupit të strukturuar kriminal, që avokatë mbrojtës tentuan ta hedhin poshtë, Gjykata argumenton se në këtë rast kemi të bëjmë e një grup të tillë dhe jo thjesht prodhim dhe trafikim në bashkëpunim. Gjykata shprehet se të pandehurit Ilir Hyseni, Sajmir Batku dhe Genci Xhixha, kanë qenë krijues të grupit.
Ndërsa të pandehurit e tjerë pjesëmarrës në këtë grup. Gjykata konkludon se pasi krijuan grupin, Xhixha, Batku dhe Hyseni, rekrutuan persona të tjerë për përpunimin e kokainës dhe ngritjen e laboratorit.
“Për këtë qëllim, ata kanë përfshirë në grupimin e tyre kriminal, persona të tjerë me të cilët kishin lidhje shoqërore, të cilët do t’i ndihmonin në prodhimin e kokainës, si të pandehurit: Ermal Hoxha dhe Gentian Gjonaj. Për realizimin e këtij plani, këtij grupimi u janë bashkuar edhe të pandehurit Kelmend e Arjan Dalipi, ku i pari ka vënë në dispozicion mjedisin e tij në Xibrakë ku u ngrit laboratori, ndërsa i dyti ka ndihmuar në procesin laboratorik të kokainës. Meqë ata nuk kishin njohuri kimike, kanë sjellë në Shqipëri edhe dy kolumbianë, Cezar Avila dhe Valter Moreno”, shkruan vendimi i Gjykatës.
Më tej, Gjykata argumenton se bashkëpunimi mes grupit ka qenë i mirëorganizuar dhe i përgatitur të paktën 3 muaj para arrestimit në flagrancë të tyre. Xhixha dhe Hyseni janë krijuesit e grupit kriminal, ndërsa Batku, sipas Gjykatës, ka qenë në rolin e furnizuesit, financierit dhe shpërndarësit të produktit. Sipas vendimit të Gjykatës, autoritetet e drejtësisë gjermane kanë filluar hetimet më datë 17.12.2014 ndaj Ilir Hysenit dhe Pranvera E. për trafikim të lëndës narkotike të llojit kokainë.
Sipas informacionit të dërguar në organet shqiptare nga Gjermania, kokaina vinte nga Shqipëria. Po kështu, i dyshuari Hyseni komunikonte në telefon gjatë qëndrimit në Shqipëri me shtetasin Ermal Hoxha. Gjithashtu, sipas përgjimeve dhe hetimeve, Ermal Hoxha ka qenë personi që ka shoqëruar dy kolumbianët në laboratorin e Xibrakës.
Por, pavarësisht kësaj, avokatët e tij mbrojtës kanë pretenduar se Hoxha nuk ka pasur lidhje me grupin e strukturuar kriminal. Sipas tyre, Hoxha ka pasur lidhje të ngushta me Xhixhën, që është ende në arrati dhe se shoqërimin e kolumbianëve drejt Elbasanit e ka bërë, pasi Xhixha ia ka kërkuar si nder.
Po kështu, ata pretendojnë se Hoxha nuk ka qëndruar në laborator më shumë se pesë minuta. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar që Hoxha t’i shpë- tojë dënimit, së bashku me personat e tjerë të grupit. Sipas vendimit të Gjykatës, të nëntë anëtarët e grupit të strukturuar kriminal përfitojnë ulje dënimi nga pranimi i kërkesës për gjykim të shkurtuar. Kështu, Ermal hoxha dënohet përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burgim, Ilir Hyseni, Cezar Avila, Valter Moreno me nga 8 vjet.
Genci Xhixha me 8 vjet e tetë muaj së bashku me Sajmir Batkun, Gentian Gjonaj me 8 vjet e 8 muaj, ndërsa Arjan Dalipi me Kelmend Dalipin me nga 7 vjet e 4 muaj. Ky i fundit, përfitoi një masë më të lehtë dënimi, pasi Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve të tij se në qeli i rrezikohej jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Ndërsa një prej organizatorëve, Genci Xhixha, vazhdon të jetë në kërkim. Por kjo nuk e ka penguar atë që të marrë një avokat me prokurë.


