Ditën e djeshme, në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda u zhvillua seanca në ngarkim të 9 të dënuarve si grupi “Xibraka”, të cilët akuzohen se ngritën laborator në Elbasan për prodhimin e kokainës. Seanca ishte thirrur me kërkesë të të akuzuarve, të cilët kërkojnë që nga pafajësia deri tek ulja e dënimeve dhe ndryshimin e akuzave për veprat penale.
Avokati i Ermal Hoxhës, nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, fillimisht kërkoi pafajësi për klientin e tij, që vuan dënimin me 10 vjet burgim. Sipas tij, Ermal Hoxha nuk ka qenë pjesë e grupit “Xibraka”.
Ai argumentoi se Hoxha ka pasur lidhje shoqërore me Genci Xhixhën, që është dënuar me 13 vjet burgim në mungesë si organizator i prodhimit të kokainës. Avokati tha gjatë seancës se i vetmi gabim i Ermal Hoxhës ka qenë shoqërimi i dy shtetasve kolumbianë që do të përpunonin kokainën nga Tirana deri në Elbasan.
Por edhe ky veprim i Ermal Hoxhës, sipas avokatit, nuk është kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, por ka qenë një kërkesë shoqërore e ardhur nga Genci Xhixha, të cilin Ermal Hoxha e ka pasur shok klase.
Avokati tha në seancë se Ermal Hoxha ka shoqëruar dy kolumbianët, Valter Moreno dhe Cezar Avila, te magazina ku do të përpunohej droga, pa e ditur se çfarë aktiviteti do të kryej atje. Ai ka qëndruar vetëm 5 minuta para magazinës dhe më pas është larguar. Sipas avokatit, në përgjimet që i janë bërë Ermal Hoxhës përmes telefonit celular, nuk gjendet asnjë provë që ta implikojë atë drejtpërdrejt apo tërthorazi me prodhimin e lëndës narkotike.
Po kështu, avokati tha se edhe çështja në ngarkim të Ermal Hoxhës në Gjermani për trafik narkotikësh është pushuar. Ndërsa avokatët e tjerë mbrojtës të Genci Xhixhës, Arjan dhe Klement Dalipajt, si edhe të Gentjan Gjonajt, Ilir Hysenajt dhe Saimir Batkut kërkuan nga Gjykata e Apelit që të prishë vendimin e Shkallës së Parë për të sipërpërmendurit. Sipas Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Genci Xhixha dhe Saimir Batku janë dënuar me nga 13 vjet burg, i pari në mungesë. Ilir Hysenaj, Valter Moreno dhe Cezar Avila janë dënuar me nga 12 vjet burgim, ndërsa Klement Dalipi dhe Gentjan Gjonaj me nga 11 vjet burgim.
Ata që janë dënuar me më pak vite janë Ermal Hoxha dhe Arjan Dalipi, me nga 10 vjet burg. Akuzat janë “prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Në këtë mënyrë, avokatët mbrojtës janë bërë bashkë duke i kërkuar Apelit që të pushojë vendimin e Shkallës së Parë, e cila nuk pranoi gjykim të shkurtuar për të pandehurit. Sipas tyre, asnjë provë nuk është kundërshtuar gjatë gjykimit, ndaj refuzimi i gjykimit të shkurtuar për të akuzuarit është pa sens sipas avokatëve.
Nëse do të aplikohej gjykimi i shkurtuar, të akuzuarit do të përfitonin ulje të 1/3-s së dënimit. Bashkangjitur kësaj, avokatët paraqitën argumente se edhe akuza e “krijimit të organizatës së strukturuar kriminale” nuk qëndron. Kjo akuzë u shton automatikisht secilit 5 vjet burgim dhe mbrojtësit kërkojnë ta zëvendësojnë me akuzën tjetër më të lehtë, “prodhim narkotikësh, i kryer në bashkëpunim”.
Në seancë, avokatët e vëllezërve Dalipi kërkuan edhe pafajësi, apo rrëzim të akuzave për prodhim narkotikësh. Sipas tyre, Klement Dalipi, pronari i magazinës, lidhi kontratë të rregullt qiraje me Genci Xhixhën, e cila u bë në prani të noterit. Nëse ai do të ishte i përfshirë në prodhimin e narkotikëve, s’do të kishte arsye për ta ligjëruar qiranë.
Po ashtu, mbrojtësit pretendojnë se Arjan Dalipi nuk kishte asnjë dijeni për përpunimin e drogës. Shkarkimin e mbetjeve të kokainës ai e ka bërë pasi mendonte se ishte lëndë helmuese që vinte nga përpunimi i bojërave.
Të njëjtat argumente u shtruan edhe nga avokati i Saimir Batkut, i cili u kap me një sasi kokaine në rrugën ElbasanTiranë. Sipas avokatit, ai ishte thjesht një blerës dhe s’kishte lidhje me grupin. Pasi dëgjoi palët, Gjykata vendosi që të shprehet përfundimisht më 15 nëntor.


