“S… welcome to hell” apo “S… je k*** nëse s’bën seks me mua” e mandej në një qepen dyqani shkruhet “S… bitch”. Këto janë vetëm pak nga fjalët traumatizuese që gjenden në muret e pallatit, qepenat e lagjes dhe muret e një shkolle 9-vjeçare në periferi të Tiranës. Kjo valë denigrimi për vajzën 15-vjeçare, është kryer në mënyrë të hapur dhe pa kurrfarë frike nga roja 65-vjeçar i shkollës A.D dhe djemtë e tjerë të lagjes, të cilët besohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur, duke e shantazhuar në këtë lloj forme, por edhe duke e kërcënuar me publikimin e videove intime.
I pari që ka kryer një formë të tillë presioni ka qenë rroja i shkollës, një 65-vjeçar që sistemi arsimor shqiptar e kishte emëruar për të ruajtur sigurinë e shkollës. Por në fakt, i moshuari dyshohet se ngacmonte seksualisht vajzat e mitura të shkollës, duke kërkuar favore seksuale.
A.D, njihej nga banorët e zonës si person me prirje pedofilie, pasi një veprim të tillë e shfaqte hapur gjatë bisedave që bënte me banorët e zonës dhe nxënësit e shkollës. Dhe ndër vajzat që ka rënë pre e e tij ka qenë S., një 15-vjeçare e cila dyshohet se është abuzuar seksualisht për një periudhë 1-vjeçare.
Megjithëse një veprim i tillë është bërë hapur, ku fjalët denigruese ishin shkruar në muret e shkollës, lagjes dhe pallatit ku banon vajza, askush nuk ka reaguar për të parandaluar një abuzim të tillë seksual, por edhe psikologjik.
Disa nga shkrimet në mure janë fshirë me gëlqere, ndërsa disa të tjera ende jo, janë të freskëta.
A.D, është njeriu që ka lançuar një abuzim të tillë, i cili pasi ka mashtruar vajzën e mitur për të shkuar në banesën e vëllait të tij, ku jetonte, e ka ngacmuar seksualisht vajzën 15-vjeçare. Aktin seksual roja i shkollës e ka filmuar dhe më pas ka filluar t’ia shpërndajë dhe tregojë djemve të lagjes dhe shkollës ku mësonte vajza e mitur. Pas kësaj, 15-vjeçarja është përballur me një valë tjetër të abuzimit seksual dhe psikologjik, pasi duke mos dashur t’i publikojnë videon e rëndë, është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me djemtë që i kërkonin një gjë të tillë. Edhe ata e kanë filmuar. Rasti i fundit i abuzimit seksual ka ndodhur dy muaj më parë, por nuk është denoncuar nga vajza.
Mandej pas mbushjes së mureve të lagjes me shkrime denigruese, vajza së bashku në nënën e saj kanë shkuar në policinë e Kamzës dhe kanë kryer denoncimin.
Sapo prokurori i gatshëm, Granit Shahu, është njoftuar për këtë rast abuzimi seksual, menjëherë ka urdhëruar oficerët e komisariatit të Kamzës që të arrestojnë personat përgjegjës.
Fillimisht në pranga ka rënë roja i shkollës, të cilit ju sekuestrua dhe një telefon. Pas tij janë arrestuar dhe dy nxënës të tjerë të shkollës ku mësonte vajza e mitur si dhe një 21-vjeçar. Të katër këta persona, sipas dëshmisë së vajzës dyshohet se kanë abuzuar seksualisht me të.
Ndërkohë këtë të hënë ose të martën A.D, dy minorenët dhe 21-vjeçari pritet të dalin para gjykatës së Tiranës, ku do njihen më masën e “arrestit në burg” kërkuar nga Prokuroria. Hetimet për këtë rast vijojnë pasi ka dyshime se roja i shkollës gjatë detyrës, mund të ketë ngacmuar seksualisht apo kryer marrëdhënie me vajza të tjera të shkollës.