Majlind Lila, 52- vjeçari që ekzekutoi të hënën vjehrrin dhe vjehrrën e më pas vrau veten në zonën e Unazës së Re në Tiranë, i kishte shpëtuar një atentati në dhjetor të vitit 2014.
Për ekzekutimin e tij kishte porositur nga burgu Admir Tafili, ndërsa vrasësi me pagesë, Kristi Pine, do të paguhej 50 mijë euro pasi ta realizonte. Vetë Lila e kishte denoncuar këtë ngjarje në Polici më 4 dhjetor 2014.
Ndërsa më vonë, pasi mori statusin e të penduarit, ishte edhe vetë Kristi Pine, që mes disa krimeve të kryera e të mbetura në tentativë që pranoi të kishte kryer, rrëfeu edhe planin për vrasjen e Majlind Lilës. Në këtë pjesë të dëshmisë së tij, Kristi Pine tregonte se i janë premtuar 50 mijë euro për vrasjen e shtetasit Majlind Lila.
Ky i fundit kishte konflikte me disa persona për çështje pronash në Dibër, ndërsa Kristi Pine shpjegonte se me porosi të Admir Tafilit dhe njerëzve të tij e ka ndjekur “objektivin” në Tiranë për disa kohë. “Vrasësi me pagesë” shpjegonte se pas ndjekjes ishte tërhequr nga vrasja pa dhënë arsyet përse ka ndodhur kjo gjë.
DESHMIA E LILES
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, të datës 18 shtator 2017, thuhet se në muajin dhjetor 2014, Kristi Pine, në bashkëpunim me Fatos Kokën, Elson Merdanin dhe Albano Beqirajn, kanë siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e shtetasit Majlind Lila. Ka rezultuar se Majlind Lila ka bërë kallëzim penal në lidhje me një problem me shtetasin M.K. dhe djalin e tij, R.K., të cilët janë administratorë të një hidrocentrali që kanë bërë në tokën e tij, në vendin e quajtur Gjon-Martanesh, Bulqizë, konflikt për të cilin ai ishte në Gjykatë që prej 5 vitesh.
Lila ka dëshmuar edhe në sallën e gjyqit, ku shprehej se me këta shtetas ka pasur dhe konfrontime fizike e verbale në lidhje me pronësinë e tokës. “Në vitin 2010, në nëntor, poshtë pallatit të vëllait tim, kanë ardhur shtetasit E.K. dhe Sh.K., së bashku me tre persona të tjerë, ku më kanë rrahur shumë keq, më kanë masakruar fare, sa që kam qenë në gjendje të rëndë. Nga këta persona kam pasur kërcënime me jetë, në shumë mënyra, me anë të telefonit si unë, po ashtu dhe gruaja ime.
Më datë 04.12.2014, rreth orës 13:20, kam qenë së bashku me motrën, Fatmira Gjoni, nusen e vëllait, si dhe prindërit e nuses së vëllait, po përcillnim për në Greqi vëllain Xhaferr Lila. Ishim te një autobus në Bulevardin ‘Zogu I’. Aty kam vënë re të pandehurin Fatos Koka, së bashku me një person tjetër që ishte i ri, afro 24 vjeç, trup i shkurtër, afro 165 cm, flokët të zeza dhe të qethura anash shkurt, mbante të veshur një xhup të zi dhe mbante një palë syze të errëta, që ka rezultuar të ishte shtetasi nën hetim, Kristi Pine.
Më ka bërë përshtypje ky person, pasi nuk po m’i shqiste sytë duke më parë, ndërsa Fatosi, kur ka vënë re që po e shikoja, është kthyer me kurriz për të ikur, por ky djali i ri e ka kapur për krahu dhe e ka tërhequr, si dhe e ka kthyer ku kanë kaluar të dy përballë meje. Unë i kam treguar vëllait se ky është personi që kisha konflikt dhe që më kishin rrahur në mënyrë brutale. Pasi i kam thënë vëllait, e ka parë edhe ai dhe më ka thënë: … hajde me mua se dua të shkoj në tualet….
Pasi kam dalë nga një lokal ku dhe kam kryer nevojat personale, isha pak i tronditur dhe vëllai më tha që këta persona ishin përballë nesh sërish dhe më tha që të ikja, e na ka dhënë dorën. Kam kthyer kokën dhe kam parë sërish Fatos Kokën me këtë person, të cilët po shikonin në drejtimin tonë. Unë së bashku me motrën kam ikur me shpejtësi, pasi kisha frikë se mos më bënin ndonjë gjë”, ka dëshmuar në gjyq Lila./Panorama