Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar një muaj paraburgim Liridon Uruqit, i dyshuar për vrasjen e Fatlind Arifit. Ngjarja ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në Bresalc të Gjilanit. Uruqi sipas prokurorisë ka një të kaluar kriminale.
Arifi, sipas kërkesës së Prokurorisë për paraburgim të cilën e aprovoi gjykata, dyshohet se të shtunën në fshatin Bresalc të Gjilanit, me veprim të drejtpërdrejt ka privuar nga jeta tani të ndjerin Fatlind Arifin me revole të markës TT të kalibrit 7.62 mm, duke shkrepur në drejtim të ndjerit në një distancë prej 4 – 5 metra, me që rast ka goditur në anën e majtë të kraharorit.
Me këtë veprime i pandehuri ka kryer veprat penale vrasje nga neni 178 dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. Ai sipas prokurorisë rrezikon që të mbajë burg prej 5 deri në 25 vite.
E ndërkohë prokurori i rastit, Agron Uka, ka sqaruar për Gazetën Express më shumë detaje për këtë rast.
Ai ka thënë se ky person akuzohet edhe për disa vepra të tjera kriminale. Madje në muaj më parë ai ka qenë i dënuar nga Gjykata.
“Ky person ka të kaluar kriminale. Vetëm unë sa e di për vepra ky ka qenë i akuzuar për vrasje në tentativë para një muaji. Po ashtu ka qenë viktimë në një diskotekë në Gjilan ku ka tentu me hy me thikë brenda dhe është përleshë me sigurimin”, tregon Uka për Express
Ai sqaron se Ukiqi është munduar që ngjarjen e vrasjes së 22-vjecarit ta inskenojë si vetëvrasje.
“Dëshmitarët në vendin e ngjarjes tregojnë se Liridoni i ka kërcënuar ata me armë në veturë derisa ishin duke e dërguar Fatlindin për në spital që të thonë se ai ka tentuar që të bëjë vetëvrasje. Tre dëshmitarë në vendin e ngjarjes e kanë thënë këtë. Motive nuk ka deri më tani të kësaj ngjarje”, deklaron prokurori.


